FFK proteston ndaj Federatës Spanjolle të Futbollit

 

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar ashpër ndaj Federatës Spanjolle të Futbollit, pas një veprimi të cilësuar si të papranueshëm dhe diskriminues.

Përmes një shkrese zyrtare, presidenti i FFK-së Agim Ademi i është drejtuar presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin, dhe presidentit të RFEF-së, Rafael Louzan, duke dorëzuar një notë proteste.

Shkak për këtë reagim është bërë mënyra se si Federata Spanjolle iu referua Kosovës në komunikimet zyrtare për ndeshjen kualifikuese të Evropianit 2027 U21, Kosovë – Spanjë.

Në dokumentet e tyre, ata e quajtën Kosovën si “territori i Kosovës”, duke mos respektuar statusin e saj si shtet i pavarur dhe i njohur nga UEFA e FIFA.

FFK thekson se një qasje e tillë bie ndesh jo vetëm me rregullat dhe parimet e organizatave më të larta të futbollit botëror, por edhe me frymën e sportit, që ka për mision bashkimin dhe respektin e ndërsjellë.

Federata kosovare kërkon nga UEFA që të marrë masa dhe të sigurojë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.

Ky veprim i Federatës Spanjolle ka ngjallur indinjatë edhe në opinionin sportiv, duke u parë si tentim për të minimizuar identitetin dhe të drejtat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

 

Shpërndaj me të tjerët