Dr. Fidan ef. Xhelili, intelektual, mendimtar, njeri i dijes, njohës i thellë, imam dhe profesor universitar nga Përlepinca e Gjilanit
Një figurë e respektuar fetare dhe akademike Fidan Xhelili, përveç se është hoxhë, është edhe profesor universitar, shkencëtar, përkthyes dhe botues i shumë punimeve me rëndësi të veçantë në fushën e studimeve islame.
Sot ai gëzon autoritet të lartë dhe njihet si një nga hoxhallarët më të mirë në rajon dhe më gjerë.
Ky respekt dhe autoritet janë fryt i punës së palodhshme, përkushtimit, profesionalizmit, urtësisë, kulturës, maturisë, si dhe dashurisë e mirësisë që e karakterizojnë në misionin e tij fetar dhe arsimor.
Rruga drejt xhamisë, një dëshirë e hershme
Dëshira e madhe për të dëgjuar ezanin ndikoi që, qysh në moshë të re, të hidhte hapat drejt xhamisë.
Këshillat dhe motivimi i gjyshes dhe nënës së tij, veçanërisht nxitja për të shkuar në xhami dhe për të falur namazin e akshamit, lanë gjurmë të thella në formimin e tij shpirtëror.
Sot, kjo dëshirë është bërë realitet, pasi pikërisht ai shërben si imam në xhaminë e vendlindjes së tij, në fshatin ku jeton.
Arsimi fillor dhe i mesëm
Dr. Fidan Xhelili lindi më 13 shkurt 1983 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e vazhdoi dhe e përfundoi me sukses në Medresenë “Alaudin”, dega në Gjilan.
Studimet universitare dhe specializimi në Hadith
Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai vazhdoi studimet jashtë vendit.
Fillimisht qëndroi në Jordani, ku u përkushtua përvetësimit të gjuhës arabe.
Në vitin 2003 u regjistrua në Universitetin Islamik të Medinës në Arabinë Saudite, një nga institucionet më prestigjioze fetare në botën islame.
Në vitin 2007 u diplomua me sukses në fushën e Hadithit.
Ligjëratat në Xhaminë e Profetit
Gjatë studimeve në Medinë, përveç mësimeve universitare, ai ndoqi rregullisht ligjëratat në Xhaminë e Profetit Muhamed (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), ku përfitoi nga mësimet e dijetarit të shquar Abdul Muhsin El-Abad (Allahu e ruajtë).
Studimet pasuniversitare dhe titulli magjistër
Studimet pasuniversitare i filloi në janar të vitit 2008 në degën e Hadithit, në “Universitetin Botëror të Shkencave Islamike” në Jordani.
Këto studime i përfundoi në gusht të vitit 2010 me sukses të shkëlqyer, duke fituar titullin Magjistër i Shkencave të Hadithit.
Doktoratura, një arritje e veçantë
Dr. Fidan Xhelili konsiderohet një nga doktorët më të rinj në shkencat islame.
Me këmbëngulje, përkushtim dhe punë të pandërprerë, ai arriti majat akademike në këtë fushë.
Më 9 maj 2017, ai doktoroi me sukses të lartë në Universitetin Botëror të Shkencave Islamike, duke mbrojtur temën e doktoratës me titull: “Hadithet e Agjërimit Vullnetar – Studim analitiko-kritik”.
Shërbimi si imam gjatë studimeve
Vlen të theksohet se gjatë studimeve të doktoratës, ai shërbeu për gjashtë vite rresht si imam i rregullt në një nga xhamitë e Ammanit, duke e bashkuar dijen teorike me praktikën fetare.
Autor, përkthyes dhe recensent
Hoxhë Dr. Fidan Xhelili është autor i disa shkrimeve shkencore dhe njëkohësisht përkthyes i veprave të rëndësishme islame.
Bashkautor i librit ” Hadith” për klasën e 12-të ne Medresenë Alaudin! dhe libri i fundit i përkthyer ” Hyrje në historikun e Sunetit” te autor Dr. Hani Ahmed Fekihu!
Ai është një nga përkthyesit dhe recensentët e librit: “Komentar i librit Rijadu Salihin” të dijetarit Muhamed ibn Salih El-Uthejmin.
Gjithashtu, ai është një nga themeluesit e revistës “Këshilla”.
Jeta familjare dhe gjuhët që zotëron
Ai është i martuar dhe baba i katër fëmijëve.
Përveç gjuhës shqipe, të cilën e flet bukur dhe me oratori të shkëlqyer, ai zotëron rrjedhshëm edhe gjuhën arabe dhe atë angleze.
Angazhimi aktual fetar dhe akademik
Aktualisht, Dr. Fidan ef. Xhelili shërben si imam, mual-lim dhe hatib në xhaminë e fshatit Përlepnicë, në Komunën e Gjilanit.
Njëkohësisht, që nga viti 2019, ai punon si profesor universitar në Prishtinë, në Fakultetin e Studimeve Islame, ku ligjëron lëndën e Kur’anit.
Për pesë vite rresht ka kontribuuar edhe në Medresenë e Gjilanit, si mësimdhënës i lëndëve fetare.
Xhelili angazhohet vazhdimisht në simpoziume dhe tribuna fetare e arsimore, duke kontribuar në diskutime me karakter edukativ dhe shoqëror.
Krenari për familjen dhe komunitetin
Familja e tij, komuniteti ku jeton, Gjilani dhe më gjerë, janë krenarë për të arriturat e hoxhë Dr. Fidan Xhelilit dhe për misionin fisnik fetar, arsimor e shoqëror që ai po e kryen me përkushtim të lartë.
