“Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindit, dhe hidhërimi i Zotit është në hidhërimin e prindit.”
Me këto porosi kuranore, në shenjë përkujtimi e respekti për babain e tij, Hafëz Mustafa Bilall Sadriu, djali i tij Muhamed Sadriu, arkitekt dhe mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike dhe të Arteve në Gjilan, ka ndarë disa kujtime prekëse për jetën dhe veprën e babait të tij, një prej figurave të shquara të fesë islame në Gjilan e më gjerë.
Kush ishte Hafëz Mustafa?
Hafëz Mustafa u lind në vitin 1939 në fshatin Llovcë të Gjilanit.
Mësimet e para fetare i mori nga babai i tij, Mulla Bilalli, që në moshën katërvjeçare.
Vetëm në moshën nëntëvjeçare, ai e përfundoi hafëzllakun para një komisioni të përbërë nga disa dijetarë, duke u bërë hafëzi më i ri në trojet shqiptare e më gjerë.
Që nga mosha 14-vjeçare, Hafëz Mustafa filloi të këndonte mukabele nëpër xhami të ndryshme, fillimisht në Xhaminë e Madhe të Gjilanit, më pas në Mitrovicë dhe më gjerë në shumë qytete të Kosovës.
Si imam i rregullt, shërbeu për herë të parë në fshatin Radivojc të komunës së Vitisë, ku qëndroi 15 vite.
Më pas, me kërkesë të xhematit, u transferua në Xhaminë e lagjes Arbëria (ish Qenar Qeshme) në Gjilan, ku shërbeu deri në vitin 2002, kur kaloi në amshim.
Përveç shërbimit si imam, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm si mësues i mësim-besimit islam, duke vazhduar traditën familjare, që shtëpia e tyre të shërbente si medrese, ashtu siç kishte bërë më parë edhe babai i tij, Mulla Bilalli.
Hafëz Mustafa njihej si një ndër lexuesit më të mirë të Kuranit Famëlartë në trojet shqipfolëse, duke lënë pas vetes një trashëgimi të çmuar shpirtërore e arsimore.
“Ne, pasardhësit e Hafëz Mustafës dhe Mulla Bilallit, e kemi një barrë të madhe mbi supe për ruajtjen e trashëgimisë që ata na lanë amanet. Por në të njëjtën kohë jemi krenarë me ta dhe e lusim Allahun e Madhërishëm t’i shpërblejë me gradën më të lartë të Xhenetit,” ka shkruar Muhamed Sadriu në përkujtimin e tij.
