Në fshatin Miresh i Vogël, konkretisht në Lagjen e Bunjakëve, sot kanë nisur punimet për vendosjen e një trafostacioni të ri, të cilat po realizohen nga punëtorët e KEDS-it.
Ky projekt vjen si zgjidhje për problemet shumëvjeçare me furnizimin me energji elektrike, pasi kjo zonë ka pasur vazhdimisht tension të ulët dhe ndërprerje të shpeshta, si pasojë e rrjetit të stërvjetruar elektrik.
Fillimi i punimeve është mirëpritur nga banorët, duke u cilësuar si një zgjidhje e përhershme për furnizim të qëndrueshëm dhe stabil me energji elektrike për Lagjen e Bunjakëve.
Po ashtu, është shprehur shpresa që Komuna e Gjilanit të realizojë edhe ndriçimin publik në këtë lagje, gjë që do të ndikonte në rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët.
Nga ana tjetër, pritet që KEDS-i të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte të ngjashme, në shërbim të qytetarëve dhe për përmirësimin e infrastrukturës energjetike.
Kështu ka njoftuar ish-kandidati për Asamble Komunale nga Mireshi, Avdyl Kastrati, i cili pritet të jetë këshilltar komunal, meqë është në radhë me vota, sapo të konstituohet qeveria e re komunale.

