Fillon programi i Gjuhës angleze për stafin e UKZ-së

Në Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka filluar trajnimi gjuhësor në Gjuhën Angleze, i dedikuar për stafin akademik dhe administrativ të institucionit.

Ky trajnim organizohet në kuadër të projektit të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Peace Corps, përmes të cilit Dr. Sc. Paul Rutter është angazhuar si ligjërues dhe trajner, i cili do të mbajë trajnime gjuhësore në Gjuhën Angleze për stafin akademik dhe administrativ të universitetit.

Qëllimi kryesor i këtij trajnimi është avancimi i aftësive komunikuese në gjuhën angleze për nevoja profesionale dhe akademike, duke u fokusuar në përdorimin praktik të gjuhës në kontekst pune.

Përmes këtij programi, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përmirësojnë shkathtësitë e tyre në komunikim verbal dhe me shkrim, prezantime akademike, korrespondencë zyrtare, përgatitje dokumentesh profesionale si dhe në bashkëpunime ndërkombëtare.

Trajnimi zhvillohet në format fizik (me praktikë), duke ofruar një qasje interaktive dhe dinamike, ku përveç pjesës teorike, theks i veçantë i kushtohet ushtrimeve praktike, simulimeve të situatave reale dhe punës në grupe.

Kjo metodologji synon të rrisë sigurinë dhe rrjedhshmërinë në përdorimin e gjuhës angleze në ambientet akademike dhe administrative.

Gjatë periudhës  shkurt – maj 2026, pjesëmarrësit do të ndjekin seanca të rregullta trajnimi, të udhëhequra nga Prof. Dr. sc. Paul Rutter, me fokus në zhvillimin e kompetencave gjuhësore që përputhen me kërkesat bashkëkohore të arsimit të lartë dhe administratës universitare.

 

Shpërndaj me të tjerët