Storie e suksesit
Fillimet me gazra teknike dhe oksigjen medicinal
Nuk ka në Gjilan e më gjerë që nuk e di se ku ndodhet Adagsi, sepse viteve të fundit me uljen e çmimit është bërë një nga kompanitë më të kërkuara për derivate.
Gjithçka nisi me një punë modeste, por me ndikim të madh: furnizimin e spitaleve me oksigjen dhe oksidul azoti, si dhe KFOR-it me gazra teknike. Ishte viti 2000 kur familja Murati hodhi hapat e parë në këtë fushë, pa e menduar se rruga do t’i çonte shumë më larg. Ndonëse biznesin me gaz e kishte nisur prindi i tij, Avdullahu, në vitet 90-ta.
Ideja që lindi nga kërkesat e qytetarëve
“Na ndalnin çdo ditë makina duke pyetur për naftë dhe benzinë. Ne kishim vetëm gaz. E prej aty lindi ideja: pse mos të fillojmë edhe me derivate?” rrëfen Ridvan Murati. Në vitin 2005, u hap pika e parë e karburanteve në rrugën qarkore të Gjilanit.
Rritja graduale dhe investimet e mëdha
Me kalimin e viteve, Adagasi u zgjerua. Në vitin 2023, u hap një pikë e dytë me një kompleks të plotë: pompë karburanti, restorant, barnatore, market, autolarje dhe bankomatë. Një tjetër pikë u hap edhe në Ferizaj për t’iu përgjigjur kërkesës së tregut.
Nga një familje punëtore në një kompani me 120 të punësuar
“Nisëm si familje, me prindin dhe vëllezër. Sot kemi 120 punëtorë, shumica prej të cilëve janë me ne që nga fillimi.” Kompania funksionon në tërë Kosovën, duke furnizuar edhe me shumicë dhe duke pasur klientë të rregullt edhe nga Lugina e Preshevës.
Çmime sociale, jo vetëm tregtare
“Nuk i ulim çmimet për garë me të tjerët. I ulim për qytetarin. Mendojmë për kuletën e familjeve që mezi ia dalin.” Kjo është filozofia e Ridvanit, që nuk sheh biznesin vetëm si fitim, por edhe si shërbim ndaj komunitetit.
Respekt për punëtorët, qëndrueshmëri në staf
Punëtorët e Adagasit kanë mbetur besnikë ndër vite. Kjo sepse, siç thotë pronari: “I trajtojmë me dinjitet, i paguajmë me rregull dhe ata e ndjejnë vlerësimin.”
Gjatë pandemisë: furnizim falas me oksigjen për Spitalin e Gjilanit
Një nga momentet më të veçanta të historisë së kompanisë ishte gjatë pandemisë, kur Adagasi furnizoi pa asnjë pagesë Spitalin Rajonal të Gjilanit me oksigjen. “As që kërkuam para. Ishte detyrë njerëzore,” kujton Ridvani. Më pas u kompensuan, por gjesti mbeti.
Nga pompë në lagje të re
Së fundmi, kompania ka ndërtuar një lagje me 19 shtëpi pranë Vali Ranch. Të gjitha janë shitur. Një tjetër dëshmi se Adagasi nuk ndalet vetëm në derivate, por investon edhe në zhvillimin urban dhe ekonomik.
Një emër që jeton edhe në familje
Emri “Adagas” është bërë simbol i përkushtimit, rritjes dhe seriozitetit. E Ridvani këtë lidhje me punën e ka përjetësuar edhe në familje, vajza e tij mban emrin Ada.