Foda beson: “Kosova mund të shkojë në Botëror”, një play-off i arritur me spektakël

 


Franco Foda nuk e fsheh besimin: ky ekip, sipas tij, ka forcën për të prekur Botërorin.

Pas barazimit 1-1 ndaj Zvicrës dhe kualifikimit historik në fazën “play-off”, trajneri i Kosovës deklaroi me siguri se djemtë e tij janë gati për hapin e madh:

“Në fillim të shortit askush nuk e besonte që do ta mbyllnim grupin në vendin e dytë. Jam shumë i kënaqur me paraqitjet. Në mars, për t’u kualifikuar duhet të mundim çdo rival, dhe unë besoj shumë që ky ekip mund të shkojë në Botëror.”

Kosova ia doli të kualifikohej me spektakël për herë të parë në histori në “play-off” të një Kupe Bote, dhe e mbylli në mënyrë fantastike këtë edicion, duke ndalur edhe Zvicrën e Granit Xhakës me një barazim të merituar 1-1 në “Fadil Vokrri”.

Me 3 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje, për një total prej 11 pikësh, Kosova e mbyll Grupin B në vendin e dytë, plot 7 pikë para Sllovenisë dhe 9 para Suedisë.

Rezultate të jashtëzakonshme për një grup që konsiderohej si i “ferrit”.

E vetmja njollë në mbrëmjen e bukur ishin vërshëllimat ndaj kapitenit të Zvicrës, Granit Xhakës, të cilat lanë një shije jo të mirë.

Tani, vëmendja shkon drejt së enjtes, kur Kosova dhe Shqipëria do të kuptojnë rivalët e tyre në shortin e “play-off”-it të muajit mars.

Me Fodën optimist dhe një grup që po rritet nga ndeshja në ndeshje, ëndrra e Botërorit nuk është më larg, është më reale se kurrë.

Shpërndaj me të tjerët