Në SHFMU “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë të Gjilanit u zhvillua sot një aktivitet i veçantë edukativ me mysafir Arian Mavriqin, fotograf i njohur i botës së egër dhe zë i fuqishëm i promovimit të natyrës dhe biodiversitetit.
Përmes një ligjërate inspiruese, Mavriqi ndau me nxënësit dhe stafin shkollor përvojën e tij në hulumtimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e specieve të rralla, duke i shoqëruar rrëfimet me fotografi që kanë prekur dhe frymëzuar publikun në mbarë rajonin.
Aktiviteti u hap me një fjalë përshëndetëse nga drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, i cili falënderoi mysafirin për vizitën dhe kontributin e tij në rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve për ruajtjen e natyrës dhe mjedisit, duke theksuar rolin e shkollës në edukimin e brezave të përgjegjshëm.
Si shenjë mirënjohjeje, mentorja e robotikës Trëndelina Koleci, së bashku me nxënësit Enesa Shabani, Flutra Ademi, Dones Shkodra dhe Blend Maliqi, prezantuan një projekt inovativ në fushën e robotikës, i cili simbolizonte misionin dhe përkushtimin e Arian Mavriqit ndaj natyrës.
Po ashtu, nxënësja Arida realizoi një punim artistik, i cili iu dhurua Mavriqit si kujtim simbolik i kësaj dite dhe i mesazhit të fuqishëm për dashurinë dhe respektin ndaj natyrës.
Në përmbyllje, shkolla i ndau Falënderim Arian Mavriqit për kontributin e tij edukativ dhe frymëzues.
Aktiviteti u mirëprit nga nxënësit dhe stafi, duke lënë gjurmë pozitive dhe duke forcuar mesazhin se dashuria për natyrën fillon me edukimin.
