Fotot që rikthyen kohët kur futbolli ishte mision

 

Kur futbolli luhej në livadhe dhe Drita mbahej gjallë nga zemra, kujtimi i paharruar i Ajnur Maksutit

Ajnur Maksuti, ish-portier, trajner dhe më pas udhëheqës i KF Drita, përmes disa fotografive të publikuara ka ringjallur një nostalgji të thellë për kohët kur futbolli nuk ishte vetëm lojë, por mision, sakrificë dhe krenari kombëtare.

Ishin vite kur topi rrokullisej nëpër livadhe, kur fanella vishej me zemër dhe kur futbolli shqiptar zhvillohej paralelisht, në heshtje e rezistencë, përballë sistemit të pushtuesit serb.

Janë vitet 1991–1995, vitet e sakrificës së madhe, të krenarisë dhe të pavarësimit të futbollit kosovar.

Vite që nuk maten me trofe, por me guxim, që nuk kujtohen për stadiume moderne, por për vullnet të pathyeshëm.

“Pikërisht në atë periudhë historike, pata edhe unë nderin të isha kryetar i KF Drita, një klub që u mbajt gjallë në rrethana të jashtëzakonshme dhe që, falë njerëzve të përkushtuar, sot është shndërruar në një emër të respektuar dhe klub me përfaqësim evropian”, ka shkruar Maksuti.

Ajnur Maksuti mbetet një nga dashamirët më të mëdhenj të futbollit dhe një nga figurat që e kanë dashur Dritën pa kushte, pa interes dhe pa zhurmë.

Kontributi i tij, sidomos pas pavarësimit, ka qenë i jashtëzakonshëm, i heshtur dhe i vazhdueshëm.

Fatkeqësisht, shumë pak veta e dinë sa shumë ka dhënë ai për këtë klub, nga përkushtimi njerëzor, te puna në terren dhe ruajtja e shpirtit të Dritës në kohët më të vështira.

Këto fotografi nuk janë vetëm kujtime. Ato janë dëshmi të një kohe kur futbolli mbahej gjallë nga idealet, kur emri i klubit mbrohej me dinjitet dhe kur njerëz si Ajnur Maksuti ishin shtylla mbi të cilat u ndërtua e ardhmja.

Janë kujtime që nuk duhet të harrohen kurrë, sepse pa ato vite sakrifice, nuk do të kishte këtë Dritë që sot ndriçon edhe në Evropë.

 

Shpërndaj me të tjerët