“Frymëzim sot, suksese nesër”, legjendat e futbollit vizitojnë shkollën në Velekincë

 

Katër legjenda të futbollit gjilanas dhe atij kosovar me përmasa edhe ndërkombëtare vizituan ambientet e SHFMU “Mulla Idris Gjilani” në Velekincë të Gjilanit, në kuadër të një aktiviteti motivues me moton “Frymëzim sot, suksese nesër”.

Në këtë takim të veçantë morën pjesë emra të njohur të futbollit: Muharrem Sahiti, Selajdin Jerliu – Coli, Ismet Ramushi dhe Premton Muja, të cilët u pritën me entuziazëm nga nxënësit dhe stafi i shkollës.

Gjatë aktivitetit, u vlerësua lart kontributi i tyre i çmuar në sport, si dhe roli i tyre frymëzues në edukimin dhe motivimin e brezave të rinj.

Futbollistët ndanë me nxënësit rrugëtimin e tyre profesional, sfidat e hasura gjatë karrierës, si dhe mesazhe të fuqishme për përkushtim, disiplinë dhe besim në vetvete.

Nxënësit treguan interesim të madh, duke parashtruar pyetje të ndryshme dhe duke krijuar një bashkëbisedim të hapur e frymëzues me mysafirët.

Në kuadër të aktivitetit u shfaq edhe një video–insert me momente nga ndeshjet dhe karriera e futbollistëve, e cila u prit me emocion dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Në përmbyllje, shkolla ndau mirënjohje për të ftuarit, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre të vyer dhe për mesazhet motivuese që sollën për nxënësit e kësaj shkolle.

 

Shpërndaj me të tjerët