Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka marrë një vendim historik në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv, e cila u zhvillua këtë të premte në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.
Në këtë mbledhje, FSHF ka miratuar ndërtimin e një fushe futbolli në Luginën e Preshevës, investim që shënon herën e parë që Federata shqiptare financon një projekt të tillë në një trevë me popullsi shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ky projekt i veçantë synon të krijojë një hapësirë të sigurt, edukative dhe nxitëse për zhvillimin fizik, emocional dhe shoqëror të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë të Luginës së Preshevës. Përveç fushës, ajo do të funksionojë edhe si qendër komunitare sportive, ku do të organizohen ndeshje, turne e aktivitete ndërkufitare.
Në korrik të këtij viti, FSHF kishte financuar dhe mbështetur organizimin e një turneu futbolli në këtë rajon, ku morën pjesë rreth 350 fëmijë shqiptarë nga Lugina dhe diaspora, të moshave 7 deri në 13 vjeç.
Ky investim i ri përforcon përkushtimin e FSHF-së për të mbështetur futbollin dhe zhvillimin e komuniteteve shqiptare kudo që ndodhen.
