Kryetari i Komunës së Gjilanit ka pranuar sot, me nder dhe respekt të veçantë, një Mirënjohje nga Komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, si shenjë falënderimi për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen institucionale ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe FSK-së.
Ky vlerësim përfaqëson jo vetëm një mirënjohje formale, por edhe një dëshmi të qartë të besimit, respektit dhe partneritetit të ndërsjellë mes dy institucioneve që i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të Kosovës.
“Ndjehem i privilegjuar dhe i nderuar për këtë mirënjohje, e cila simbolizon bashkëpunimin e fortë dhe frymën e përbashkët për ndërtimin e një shteti të sigurt, sovran dhe të qëndrueshëm”, u shpreh kryetari, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është krenaria e vendit dhe garancia e sigurisë sonë kombëtare.
Ai shtoi se bashkëpunimi me ushtrinë e Kosovës do të vazhdojë gjithmonë në nivelin më të lartë, në funksion të forcimit të institucioneve shtetërore, sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së vlerave për të cilat është sakrifikuar shumë.
Ky vlerësim është një mesazh i fuqishëm se bashkimi i institucioneve, përkushtimi dhe dashuria për atdheun janë themeli i një Kosove më të fortë dhe më të sigurt.

