Gjeneral Brigade Dr. Sefer Isufi kujton stërgjyshin e tij, heroin kombëtar Idriz Seferi
Gjeneral brigade i FSK-së dhe këshilltar ushtarak i Presidentes së Kosovës, dr. Sefer Isufi, ka kujtuar me emocion stërgjyshin e tij, heroin kombëtar Idriz Seferi.
Në një status të ndarë në rrjetet sociale, ai ka përshkruar ndjenjat që e kanë shoqëruar gjatë pjesëmarrjes në pritjen shtetërore të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë.
Isufi shkruan se mes uniformave të nderit, simboleve shtetërore dhe në shoqërinë e Presidentes Vjosa Osmani, ai ndjeu peshën e historisë që rrjedh në gjakun e tij.
“Ndërsa qëndroja në mesin e stafit komandues të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, e ndjeva sikur aty, në atë sallë ceremoniale, ishte edhe stërgjyshi im, udhëheqësi i madh i kryengritjeve shqiptare për Pavarësinë, Hero Idriz Seferi”, ka shkruar ai.
Gjeneral Isufi kujton se Idriz Seferi dha gjithçka për lirinë e shqiptarëve, pa e jetuar dot ditën e Pavarësisë, pasi Kosova dhe shumë treva të tjera mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.
“Sot, pas më shumë se një shekulli, isha aty si pasardhës i tij dhe si dëshmi se sakrificat nuk u harruan. Ato u bënë rrugë, dritë dhe frymëzim i përhershëm”, shkruan ai, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova sot qëndrojnë më pranë se kurrë, falë burrave që ndezën dritën për brezat që erdhën pas.

