Gjilani dëshpëron në shtëpi, Malisheva gjen fitoren e parë

Gjilani nuk arriti të shënojë fitore në stadiumin e vet, duke u mposhtur 1:3 nga Malisheva, në ndeshjen e javës së katërt të Albi Mall Superligës së Kosovës.

Sfida nisi me befasi, pasi ish-sulmuesi i Gjilanit, Mevlan Zeka, shënoi që në minutën e 6-të pas një aksioni nga krahu i majtë.

Reagimi i kuqebardhëve erdhi shpejt, kur nga një krosim i Totres, goditja me kokë e Jaroviq u ndal nga portieri, por kapiteni Armend Thaqi përfitoi nga topi i kthyer dhe barazoi rezultatin në minutën e 12-të.

Pjesa e parë u mbyll me lojë të vakët dhe pa raste të pastra nga të dyja palët. Gjilani nuk arriti të ruajë intensitetin e minutave të para, ndërsa Malisheva priste shanset e saj.

Në pjesën e dytë, mysafirët ishin më të vendosur. Në minutën e 73-të, Samuel Opeh shfrytëzoi një tollovi në mbrojtjen gjilanase dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar Malishevën sërish në epërsi.

Vetëm pesë minuta më vonë, Altin Aliu realizoi një gol të bukur nga kundërsulmi, duke vulosur fitoren e parë të Malishevës këtë edicion.

Trajneri i mysafirëve, Qatip Osmani, pas ndeshjes deklaroi se kjo fitore ishte e merituar dhe një pikë kthese për skuadrën e tij, falë angazhimit maksimal të futbollistëve.

Gjilani, nga ana tjetër, nuk po arrin të gjejë konsistencën, duke mbetur me katër pikë pas katër ndeshjeve, ndërsa Malisheva largohet nga fundi i tabelës me tri pikë të arta.

 

 

Shpërndaj me të tjerët