Gjilani drejt leximit digjital, Komuna dhe Ambasada e Bullgarisë pajisin Bibliotekën me 150 iPad-ë të rinj

 

Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të Bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli”.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, bashkë me ambasadorin bullgar Hristo Kraevski, nënkryetaren Leonora Morina Bunjaku dhe drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, dorëzuan në Bibliotekën e qytetit 150 iPad-ë të rinj që do të jenë në shërbim të lexuesve.

“Kjo nismë do t’iu mundësojë lexuesve tanë qasje në miliona libra elektronikë dhe artikuj shkencorë nga e gjithë bota. Është një hap i madh drejt një Gjilani që lexon, mëson dhe zhvillohet në hap me teknologjinë,” tha kryetari Hyseni.

Nga ana e tij, ambasadori bullgar Hristo Kraevski u shpreh i lumtur që është për herë të dytë në Gjilan, kësaj here për të mbështetur projektin e digjitalizimit të bibliotekës.
Sipas tij, tabletët e mençur do t’u shërbejnë lexuesve të pasionuar për qasje më të lehtë dhe moderne në libra dhe materiale digjitale.

Ky projekt, përveç që modernizon bibliotekën, shënon një hap konkret drejt transformimit digjital të institucioneve kulturore në Gjilan.

 

Shpërndaj me të tjerët