Gjilani nuk e ka nisur mbarë stinorin pranveror, pasi që në ndeshjen e parë ka pësuar disfatë në shtëpi nga Ballkani me rezultat të ngushtë 2:1.
Mysafirët nga Suhareka treguan ambicie që në minutat e para të takimit, duke dhënë sinjale se nuk do të largoheshin duarthatë nga Gjilani.
Që në minutën e 3-të, pas një pakujdesie në mbrojtjen e Gjilanit nga Lorik Boshnjaku, lojtari brazilian Ribeiro i Ballkanit përfitoi, vodhi topin dhe asistoi te Almir Kryeziu, i cili me goditjen e parë mposhti portierin gjilanas Laroshi, duke kaluar Ballkanin në epërsi 0:1.
Gjilani tentoi të reagojë, por pa konkretizim në pjesën e parë.
Në minutën e 64-të, Ballkani ndërtoi një aksion të mirë nga krahu i majtë, ku Kryeziu ishte sërish protagonist, ndërsa mesfushori Diene nga afërsia realizoi për 0:2.
Vendasit arritën të rikthejnë shpresën në minutën e 72-të, kur Oltion Bilalli befasoi jo vetëm mbrojtjen, por edhe portierin mysafir, duke gjuajtur në formë krosimi, topi i të cilit përfundoi në rrjetë për rezultatin 1:2.
Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, Gjilani nuk arriti të barazojë rezultatin. Me këtë humbje, skuadra gjilanase humb një rast të mirë për t’u ngjitur më lart në tabelë, ndërsa në ndeshjet vijuese do të synojë të korrigjojë gabimet e shfaqura në këtë duel.

