Pa dyshim, Gjilani në këtë verë ka qenë ekipi më aktiv në afrimin e lojtarëve. Ditëve të fundit, klubi po përqendrohet në një projekt afatgjatë, duke angazhuar futbollistë të rinj dhe perspektivë.
Siç bëri të ditur Syart Rrahmani, drejtor i SC Gjilani, afrimi më i ri në skuadër është 17-vjeçari Haris Isufi, i cili vjen nga skuadra 2 Korriku.
Isufi spikati me paraqitjet e tij në Ligën e Kampionëve për të rinj dhe më parë ka qenë pjesë e klubit Trepça nga Mitrovica.
Me pjekurinë dhe potencialin që ka treguar në fushë, Isufi, që luan si sulmues i krahut, konsiderohet si një përforcim me të ardhme për projektin afatgjatë të klubit.
Rrahmani shtoi se Haris Isufi do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën dhe do të vazhdojë rrugëtimin e tij profesional me Gjilanin.
Po ashtu, ditë më parë u angazhuan dy talentë të rinj nga akademia e Gjilanit, Ermal Sadiku dhe Leart Kerqeli, të cilët janë bashkuar zyrtarisht me ekipin e parë.
Sadiku, mesfushor, dhe Kerqeli, sulmues krahu, kanë qenë pjesë aktive e fazës përgatitore që nga dita e parë, përfshirë kampin veror në Bansko.