Gjilani godet sërish në merkato, sjell mesfushorin Ennur Totre

 

Një ditë para fillimit të kampionatit të ri të Superligës së Kosovës, SC Gjilani ka finalizuar edhe një përforcim të rëndësishëm në skuadër,  mesfushorin nga Tetova, Ennur Totre.

“Me kënaqësi njoftojmë se Ennur Totre i është bashkuar familjes Kuqebardh!”, thuhet në njoftimin e klubit gjilanas.

Totre është një mesfushor me përvojë të madhe ndërkombëtare. Ai e nisi karrierën e tij në vitin 2014 me Shkëndijën, ku fitoi tri herë titullin kampion të Maqedonisë së Veriut (2017–18, 2018–19, 2020–21). Në vitin 2021 u transferua te Tirana, me të cilën fitoi Kategorinë Superiore në sezonin 2021–22. Më pas, në gusht 2022, u bashkua me ekipin ukrainas Vorskla Poltava, ndërsa ka luajtur edhe për klubin turk Sakaryaspor. Totre numëron gjithashtu dy paraqitje me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut.

Me afrimin e Totres, Gjilani mbyll përfundimisht merkaton verore, duke qenë ndër klubet më aktivë të këtij sezoni. Kuqebardhët tashmë janë të kompletuar dhe të gatshëm për nisjen e garave.

 

 

Shpërndaj me të tjerët