Pas deklaratës së Riad Rashitit nga PDK lidhur me situatën në lagjen Dardania (Gavran), ka reaguar drejtori për Gjeodezi në Komunën e Gjilanit, Bekim Salihu, duke sqaruar të dhëna konkrete për ndarjet territoriale të viteve të kaluara.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Salihu tha se Komuna e Gjilanit ka pranuar shqetësime nga qytetarët për çështjen e kufirit të zonës kadastrale në lagjen Dardania, një çështje e ndjeshme që lidhet drejtpërdrejt me procesin e decentralizimit të udhëhequr nga qeveritë e mëhershme.
“Ky kufi është përcaktuar gjatë procesit të decentralizimit, të udhëhequr nga qeveritë e kaluara – një proces të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE e ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme që nga fillimi,” thekson Salihu.
Ai shton se si pasojë e këtij procesi, Komuna e Gjilanit ka humbur një territor të konsiderueshëm me gjithsej 123 km², të cilat janë kaluar në komunat përreth:Komunës së Novobërdës i janë transferuar nëntë zona kadastrale, me sipërfaqe totale prej 94.42 km²: Parallovë, Makresh i Epërm, Makresh i Ulët, Muzgovë, Dragancë, Strazhë, Kufcë e Epërme, Stanishor dhe Koretishtë. Komunës së Parteshit i janë kaluar tri zona kadastrale, me sipërfaqe 28.67 km²: Partesh, Budrigë e Poshtme dhe Pasjan.
Salihu thekson se Komuna e Gjilanit është e përkushtuar që të adresojë këto shqetësime dhe të mbrojë interesin publik:
“Jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore për trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi të plotë institucionale.”
Ky reagim vjen në një kohë kur tema e kufijve administrativë, veçanërisht për lagjen Dardania, është kthyer në debat publik, me përfshirje të subjekteve politike dhe përfaqësuesve lokalë.