Gjilani kalon Lirinë dhe vazhdon garat në Kupë

 

Skuadra e Gjilanit ka shënuar fitore ndaj Lirisë me rezultat 2:1, në kuadër të Kupës së Kosovës, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale dhe duke pritur tash shortin për kundërshtarin e radhës.

Epërsia për gjilanasit erdhi në minutat shtesë të pjesës së parë, kur kapiteni Armend Thaçi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke kaluar skuadrën e tij në avantazh 1:0.

 Në minutën e 65-të, pas një goditjeje nga këndi të krosuar  nga Thaçi, më së larti u shkëput prurja më e re e Gjilanit, Hamdi Namani, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë për 2:0.

Që nga minuta e 35-të, mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë.

Në minutën e 85-të, Liria arriti të ngushtojë epërsinë përmes Nikqit, i cili nga afërsia realizoi për 2:1, por pa arritur të ndryshojë fatin e ndeshjes.

Me këtë fitore, Gjilani vazhdon rrugëtimin në Kupën e Kosovës, derisa në fazën çerekfinale do të mësojë kundërshtarin përmes shortit.

 

Shpërndaj me të tjerët