Me fillim nga ora 16:30, në stadiumin me bari sintetik, Gjilani do të përballet me Prishtinën në kuadër të javës së tretë të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Gjilani hyn në këtë ndeshje pas një barazimi ndaj Ballkanit dhe një disfate nga Dukagjini, ndërsa Prishtina vjen me moral të lartë pas dy fitoreve radhazi.
Kuqebardhët shpresojnë që pikërisht sot të kthehen te fitorja dhe ta thyejnë serinë e kryeqytetasve. Optimzmi në kampin gjilanas është i lartë, me bindjen se skuadra do të reagojë dhe do të marrë rezultat pozitiv para tifozëve të vet.
Nga ana tjetër, Prishtina e trajnerit Arsim Thaci duket e përgatitur maksimalisht dhe me formë të shkëlqyer në këtë fillim të stinorit, duke dhënë sinjale të qarta se këtë vit do të jetë një nga pretendentët kryesorë për trofe.
Gjilani ka qenë mjaft aktiv gjatë merkatos verore, duke sjellë lojtarë me përvojë, ndërsa drejtuesit janë të bindur se komponimi i skuadrës do të vijë shumë shpejt.