Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me humanistin Halil Kastrati, vizituan sot Qendrën e re për të Moshuarit, një projekt që po përfundon dhe synon të ofrojë kushte të sigurta dhe të rehatshme për gjeneratat e vjetra.
“Për gjeneratat që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes po krijojmë një hapësirë të denjë dhe të sigurt. Falënderoj mikun tonë të çmuar, Halil Kastratin, për përkrahjen e vazhdueshme”, shkroi Hyseni në faqen e tij zyrtare.
Qendra do të ofrojë ambiente për aktivitete sociale, shëndetësore dhe kulturore, duke u bërë një pikë referimi për mirëqenien e të moshuarve në Gjilan dhe duke reflektuar angazhimin e komunës për respekt dhe mbështetje të gjeneratave të vjetra.
