Motivim i veçantë para Kupës: Gjilani me mesazh simbolik për ndeshjen ndaj Lirisë
Skuadra e Gjilanit ka gjetur një mënyrë kreative dhe simbolike për të motivuar futbollistët para ndeshjes së nesërme të Kupës së Kosovës kundër Lirisë së Prizrenit, skuadër që garon në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës.
Duke pasur parasysh se këtë edicion Gjilani pritet të përqendrojë të gjitha forcat pikërisht në garat e Kupës, klubi ka publikuar një fotografi motivuese, e cila ka tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe opinionit sportiv.
Në postimin e bërë, shfaqen dy figura simbolike, të quajtur “komandant Katana” dhe “komandant Drini”, shoqëruar me mbishkrimin:
“Djemtë e komandant Katanës dhe komandant Drinit në aksion.”
Simbolika e përdorur në mesazhin motivues para ndeshjes së Kupës së Kosovës mes Gjilanit dhe Lirisë së Prizrenit bart një domethënie të veçantë historike dhe emocionale.
Komandant Katana, figurë e njohur e luftës, ishte nga Gjilani, ndërsa komandant Drini nga Prizreni, duke e bërë këtë mesazh një nder të veçantë për të dy qytetet dhe për dy klubet që përballen në fushë , Gjilanin dhe Lirinë.

