Gjilani në fazë përgatitore në Bullgari, Nuhiu me ekipin e plotë në dispozicion

Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, Sport Club Gjilani ka udhëtuar sot drejt Banjskës në Bullgari, ku do të qëndrojë për dy javë për të zhvilluar fazën përgatitore verore.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i klubit, Syart Rrahmani, i cili tha se ekipi tashmë është akomoduar në këtë qendër të njohur rekreative-sportive që ofron kushte optimale për punë intensive.

“Kushtet janë shumë të mira për punë. Trajneri dhe stafi kanë mundësi të plota për të komponuar ekipin dhe për të ndërtuar sistemet e lojës në një ambient të qetë dhe profesional,”  u shpreh Rrahmani.

Ekspeditë me 26 lojtarë dhe staf të plotë teknik e administrativ

Ekspedita e SC Gjilanit në Bullgari përbëhet nga rreth 40 persona, konkretisht: 26 lojtarë, 4 trajnerë dhe 7-8 anëtarë të stafit mjekësor dhe administrativ.

Trajneri Ardian Nuhiu ka në dispozicion të gjithë futbollistët, përfshirë edhe përforcimet e fundit të afatit kalimtar. Gjatë qëndrimit dyjavor, ai do të ketë mundësinë të testojë potencialin individual dhe kolektiv të ekipit, duke krijuar bazën për sezonin e ri.

SC Gjilani po synon një edicion garues të suksesshëm, ndërsa kjo fazë përgatitore jashtë vendit konsiderohet si hap i rëndësishëm drejt objektivave të klubit.

 

Shpërndaj me të tjerët