Skuadra e Gjilanit sot zhvillon ndeshjen e parë të stinorit pranveror, ku do të përballet me Ballkanin.
Takimi luhet në Gjilan, me fillim në ora 13:00, në stadiumin me bari sintetik.
Trajneri i Gjilanit, Debatik Curri, një ditë para ndeshjes ka deklaruar se skuadra e tij është mjaft e motivuar për këtë përballje të fortë dhe se të gjitha përgatitjet tashmë janë bërë.
Ai ka theksuar se Gjilani do t’i qaset ndeshjes për të dominuar, me sa më pak gabime, me synimin për ta fituar takimin.
“Ekipi është në formë optimale dhe ndeshjes do t’i qasemi me seriozitet dhe përkushtim maksimal”, ka deklaruar Curri.
Aktualisht, Gjilani renditet në pozitën e gjashtë në tabelë me 26 pikë, ndërsa Ballkani ndodhet në krye të renditjes me 33 pikë, çka e bën këtë përballje edhe më interesante.
Në anën tjetër, Ballkani ka bërë përforcime gjatë afatit dimëror, por Curri ka thënë se nuk kanë shumë informata rreth përforcimeve të tyre.
Ndërkohë, Gjilani ka angazhuar një sulmues nga Drenica dhe një portier nga Prishtina.
Tekniku gjilanas ka bërë të ditur se Oltion Bilalli dhe Robert Rrahmani janë shëruar dhe janë të gatshëm për lojë, duke i cilësuar ata si “përforcime të mëdha” për skuadrën.
Në stinorin e kaluar, Gjilani dhe Ballkani janë përballur dy herë, ku të dyja ndeshjet kanë përfunduar me barazim, ndërsa Gjilani kishte treguar paraqitje shumë të mira.
