Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Komunës së Gjilanit, janë bërë të ditura planet për ndërtimin e dy fushave të reja futbolli në këtë komunë.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i shoqëruar nga kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit, Armend Misini, kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ku u diskutua për përmirësimin e infrastrukturës sportive në këtë rajon.
Lajmi i mirë vjen për KF Studentin, pasi që nga dita e mërkurë do të nisin punimet për ndërtimin e fushës së futbollit në fshatin Dobërçan. Kjo fushë moderne pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e futbollit dhe të krijojë hapësira më të përshtatshme për përfshirjen e të rinjve dhe komunitetit lokal në sport.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për projektin tjetër në fshatin Livoç, ku së shpejti pritet të nisë ndërtimi i një fushe tjetër futbolli.
Në emër të FFK-së, Ademi falënderoi kryetarin Hyseni për përkushtimin e tij në avancimin e sportit në Gjilan, duke theksuar se këto investime janë hap konkret drejt zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit në nivel lokal dhe rajonal.