Skuadra e Gjilanit, e drejtuar nga trajneri Ardian Nuhiu, ka pësuar një humbje të rëndë në ndeshjen e dytë përgatitore që po zhvillon në Bansko të Bullgarisë, duke u mposhtur me rezultat të thellë 5:0 nga skuadra e sapo-promovuar në Superligën e Kosovës, Prishtina e Re.
Kjo humbje erdhi si befasi, sidomos duke pasur parasysh përforcimet e shumta që Gjilani ka bërë gjatë kësaj vere, me synime të qarta për të qenë pretendent serioz në sezonin e ri. Skuadra kishte dhënë shenja pozitive në ndeshjen e parë miqësore ndaj FC Politehnica-s nga Rumania, e cila kishte përfunduar 1:1, me gol të shënuar nga Edi Basa.
Trajneri Nuhiu, që këtë verë ka pasur përkrahje të madhe në ndërtimin e skuadrës, pritet të analizojë këtë humbje dhe të reagojë në ndeshjet në vijim, me synimin për të rikthyer qetësinë dhe besimin në grup.
Qëndrimi i skuadrës në Bullgari do të vazhdojë edhe për disa ditë, ashtu siç ishte planifikuar më parë..