Gjilani dhe Drita do të zhvillojnë ndeshjet e radhës në kuadër të sezonit vjeshtor, me synime të qarta për rezultate pozitive.
Derisa SC Gjilani do ta presë Prishtinën e Re dhe me këtë ballafaqim do ta mbyllë sezonin vjeshtor, Drita do të udhëtojë drejt Malishevës, edhe pse për skuadrën bardhekaltër sezoni nuk përfundon ende, pasi të mërkurën e pret edhe ndeshja e mbetur ndaj Prishtinës.
Gjilani synon mbyllje me fitore
Gjilani hyn në këtë përballje pas një serie të mirë lojërash dhe rezultatesh, ndërsa pritet që ky ritëm pozitiv të vazhdojë edhe në duelin e fundit para tifozëve të vet.
Trajneri Debatik Curri ka theksuar se ndeshja ndaj Prishtinës së Re do të jetë e vështirë, duke shtuar se në këtë sezon nuk ka kundërshtarë të lehtë. “Jemi të gjithë të vetëdijshëm se duhet të fokusohemi te vetja jonë, t’i kryejmë detyrat dhe ta japim maksimumin. Nëse i bëjmë këto gjëra, rezultati nuk do të mungojë”, ka deklaruar Curri.
Në rast fitoreje, Gjilani do të arrijë kuotën e 26 pikëve, çka sipas trajnerit përputhet me objektivat e skuadrës për këtë fazë të kampionatit.
Drita favorite, por e kujdesshme në Malishevë
Drita ka udhëtuar drejt Malishevës sipas traditës së saj, duke hyrë në karantinë një ditë para ndeshjes për të qenë më e bashkuar, e pushuar dhe e përgatitur maksimalisht.
Edhe pse e lodhur nga angazhimet në Conference League, Drita shihet si favorite në këtë takim, bindje që e ndajnë edhe stafi teknik edhe lojtarët, të cilët synojnë të dalin me rezultat pozitiv nga stadiumi i Malishevës.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka vlerësuar kundërshtarin dhe ka theksuar ndryshimet që ka pësuar Malisheva me ardhjen e trajnerit të ri.
“Tani fokusi është te ndeshja e nesërme, e cila do të jetë shumë e vështirë dhe e ngjeshur. Malisheva është një ekip cilësor dhe kërkon përgatitje maksimale. Kemi pasur vetëm një stërvitje pas kthimit, lodhja është evidente, por besoj te karakteri dhe përkushtimi i lojtarëve. Do të japim maksimumin për të marrë rezultat pozitiv”, ka deklaruar Ramadani.
Në rast fitoreje, Drita do të arrinte kuotën e 28 pikëve, me një ndeshje më pak të zhvilluar, atë ndaj Prishtinës, që do të luhet të mërkurën.
