Skuadra e Gjilanit ka pësuar një tjetër humbje në ndeshjet përgatitore që po zhvillon në Bansko të Bullgarisë. Në përballjen e katërt miqësore, gjilanasit u mposhtën nga FK Arkadag me rezultat 3-2, ndonëse arritën të shënojnë përmes Sabit Bilalit dhe Edi Basës.
Kjo ishte mbase ndeshja e fundit në kuadër të fazës përgatitore, me Gjilanin që regjistron bilanc aspak të favorshëm: tri humbje dhe një barazim në katër ndeshje, duke lënë shije të zbehur për performancën e ekipit para fillimit të sezonit të ri.
Forma aktuale dhe rezultatet në miqësore nuk japin shenja optimiste, ndërsa trajneri dhe stafi teknik kanë tashmë një pamje më të qartë për pikat që kërkojnë përmirësim. Përkundër dëshirës për testime dhe eksperimentime, Gjilani do të duhet të rrisë nivelin dhe të rifitojë sigurinë në lojë para sfidave zyrtare që e presin.