Gjilani synon fitoren e radhës para ‘Skifterave’, Curri debuton në shtëpi

Gjilani, nën drejtimin e trajnerit Debatik Curri, sot pret Dukagjinin nga Klina me optimizëm të plotë dhe me respekt për kundërshtarin.
Skuadra kuqebardhë nga dy ndeshjet e fundit ka regjistruar një fitore dhe një barazim si mysafire, ndërsa sot kërkon t’i kthehet fitoreve para tifozëve të saj të zjarrtë, “Skifterave”.

Kjo ndeshje do të jetë e para para publikut gjilanas, ku Debatik Curri do të udhëheqë ekipin nga stoli si trajner i parë, një moment që pritet me interes të veçantë nga tifozët.

“Çdo skuadër që bën më pak gabime, ajo do të fitojë. Kundërshtari më pas futet në situata të palakmueshme. Dukagjini është rival i vështirë dhe për ta mposhtur kërkohet angazhim maksimal,” ka deklaruar Curri një ditë para ndeshjes. 

Ai ka shtuar se çdo detaj në fushë ka peshën e vet:

“Duhet ta kuptojmë se çdo situatë, çdo top i fituar apo i humbur, ka rëndësi për ekipin. Çdo gjë duhet bërë me synimin e vetëm, për të fituar tri pikë.”

Sfida ndërmjet Gjilanit dhe Dukagjinit zhvillohet sot nga ora 13:00 në stadiumin me bar artificial në Gjilan, ku pritet një atmosferë e zjarrtë dhe një përballje e fortë mes dy skuadrave që po kërkojnë të ngjiten më lart në tabelë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët