Gjilani udhëton në Malishevë për fitore
Skuadra e Gjilanit të dielën udhëton në Malishevë, ku do të përballet me ekipin vendas që mban të njëjtin emër, në një duel që pritet të jetë mjaft i luftuar.
Kuqebardhët udhëtojnë me ambicie të qarta për rezultat pozitiv, pas një jave përgatitjesh intensive nën drejtimin e trajnerit Debatik Curri.
“Malisheva është një skuadër e fortë dhe na pret një ndeshje e vështirë, por kemi pasur kohë të analizojmë kundërshtarin dhe jemi përgatitur mirë. Me pak fat, mund ta fitojmë këtë takim,” ka deklaruar Curri.
Në takimin e parë të këtij edicioni, Malisheva kishte triumfuar në Gjilan në sekondat e fundit të ndeshjes, duke lënë pas një përballje dramatike.
Këtë herë, skuadra malishevase do të drejtohet nga Elion Berisha, trajneri i tretë i saj gjatë këtij sezoni, i cili do të debutojë pikërisht përballë Gjilanit.
Nga ana tjetër, optimizmi te Gjilani mbetet i lartë, me futbollistët që besojnë në cilësinë dhe formën e tyre për të marrë tri pikët në një transfertë të vështirë.

