Gjilani vazhdon aktivitetet kundër dhunës me bazë gjinore

 

 Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” në Gjilan

Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Njësia për të Drejtat e Njeriut e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me mekanizmat lokalë dhe me mbështetje të OSBE-së – Qendra Rajonale Gjilan, ka mbajtur sot një tryezë pune.

Linditë Salihu, zyrtare për Barazi Gjinore, tha se qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i ideve dhe përvojave ndërmjet institucioneve dhe organizatave lokale, për të forcuar mekanizmat e parandalimit të dhunës me bazë gjinore.

Drejtoresha e Strehimores për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës, Nazife Jonuzi, foli për shërbimet që ofrohen për viktimat dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Ndërsa Salihe Aliu nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale njoftoi se vetëm këtë vit komuna ka subvencionuar qiratë për 21 raste të dhunës në familje, si dhe ka ofruar shërbime sociale, ushqimore, shëndetësore dhe financiare përmes QPS dhe OJQ-ve.

Gani Leci, udhëheqës regjional i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve për garantimin e mbrojtjes së viktimave. Ai bëri të ditur se gjatë periudhës janar–shtator 2025, në Gjilan janë regjistruar 176 raste të dhunës në familje.

Leci theksoi se “lufta kundër dhunës nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por detyrë e gjithë shoqërisë”.
Të pranishmit kontribuuan me sugjerime për forcimin e mëtejshëm të mekanizmave lokalë të reagimit dhe mbrojtjes.

 

Shpërndaj me të tjerët