Habib Rexhepi nga Vitia nis karrierën akademike në Universitetin “Kadri Zeka”

 

Mësimdhënësi i deritashëm i matematikës në shkollën fillore “Bafti Haxhiu” në Viti, Habib Rexhepi, do të vazhdojë karrierën e tij në fushën akademike, si pjesë e stafit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë arsimtari shumëvjeçar, si dhe nga faqja zyrtare e Komunës së Vitisë, e cila e ka nderuar Rexhepin me mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në fushën e arsimit dhe edukimit në këtë komunë.

Përveç punës së palodhshme me nxënës, Habib Rexhepi është angazhuar edhe në trajnime të shumta profesionale, si për kolegët e tij mësimdhënës, ashtu edhe për nxënës të talentuar në fushën e matematikës. Për vite me radhë ka udhëhequr grupe pune me nxënës të dalluar në kuadër të komunës së Vitisë.

Në tetor të vitit të kaluar, Rexhepi mbrojti me sukses disertacionin e doktoratës me titull “Koncepti i thyesave sipas teorisë Pirie-Kieren në arsimin fillor në Kosovë”, në Fakultetin Pedagogjik të Shkupit. Ndërkohë, në mars të këtij viti, ai botoi edhe librin e tij të parë të titulluar “Thyesat”, një kontribut i vlefshëm për mësimdhënien dhe të kuptuarit e këtij koncepti në arsimin fillor.

Kalimi i tij në ambientin universitar përfaqëson një hap të rëndësishëm si për të personalisht, ashtu edhe për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit në rajon.

Bottom of Form

 

 

Shpërndaj me të tjerët