Hamamxhiku i vetëm i Gjilanit, kujtimet e një kohe të harruar

 

Banjat publike, të njohura dikur si hamamxhikë, kanë qenë pjesë e rëndësishme e jetës së qyteteve, dhe Gjilani nuk bënte përjashtim. 

Ky hamamxhik i vetëm i qytetit shërbente për pastrimin e qytetarëve të Gjilanit dhe të rrethinës, ku kushdo mund të hynte me një çmim simbolik.

Kadri Osmani, qytetar i vjetër gjilanas, sot 77 vjeç, e mban mend mirë kohën kur si fëmijë shkonte për tu larë aty.

“Ishte i brendshëm, me pllaka të punuara krejt dorazi. Aty shtriheshim, lahemi, dhe punëtorët fërkonin trupin duke nxjerrë llomin, gjë që sot nuk mund ta imagjinosh. Përdornin  kazanë të mëdhenj me ujë të ngrohtë, të cilin ua hidhnin me një ‘lekë’.

Më së shumti ditët e shtunë, ditë pazar, ishte mbushur plot me njerëz nga qyteti e rrethina. Unë isha 10-12 vjeç dhe shkoja me prindin tim, një përvojë që nuk e harroj kurrë, ka qenë shumë interesante për moshën time,” kujton ai.

Hamamxhiku ndodhej përballë ambulancës në qytet, ku tash është zhvendos një sektor i policisë, afër bibliotekës aktuale,i rrethuar nga plepa, dhe uji merrej nga rrjedha e lumit të Banjës, duke mjaftuar për të gjithë në atë kohë, kur nuk kishte sistem ujësjellësi.

Ky vend i vetëm ka mbetur në kujtesën e shumë gjilanasve të vjetër, një kujtim i veçantë i një kohe të thjeshtë dhe të ngrohtë, ku qyteti gëzonte një hapësirë publike të përbashkët për pastrim dhe takim komuniteti.

Hamamxhiku i Gjilanit nuk është thjesht një banjë, por një pjesë e historisë dhe nostalgjisë së qytetit.

 

Shpërndaj me të tjerët