Këshilltari komunal nga radhët e LDK-së, Muhaedin Haziri, i cili vjen nga fshati Zhegër, ka kërkuar që një sërë projektesh për këtë fshat të përfshihen në buxhetin e Komunës së Gjilanit për vitin 2026.
Haziri ka bërë të ditur se kërkesat janë dorëzuar nga Këshilli i Fshatit Zhegër dhe komuniteti lokal, të cilat janë mbështetur në bashkëpunim me këshilltarët Bajram Isufi (LVV) dhe Isa Agushi (BNA).
Për hir të informimit publik, ai ka sqaruar se shuma e planifikuar gjithsej për vitin fiskal 2026 është 41,340,057.00 euro, ndërsa shpërndarja buxhetore është bërë sipas tabelës së planifikimit të hartuar nga ekzekutivi i Komunës dhe e paraqitur në Kuvendin Komunal.
Gjatë seancës, Haziri ka paraqitur kërkesën që vlera e planifikuar prej 300,000.00 euro, e cila sipas kodit buxhetor klasifikohet si shpenzim i rendit të tretë, të shfrytëzohet në përputhje me nevojat konkrete të fshatit Zhegër, sipas propozimit të Këshillit të Fshatit.
Projektet e propozuara për Zhegër janë:
- Rregullimi i monumentit për Martirët e Luftës 1999 – 60,000 €
- Rregullimi dhe zgjerimi i urës ekzistuese te parku – 30,000 €
- Ndërtimi i urës së re te Tregu (Merzishta) – 70,000 €
- Rregullimi i pjesës së mbetur të rrugës për fshatin Goden – 30,000 €
- Rregullimi i pjesës së mbetur të rrugës për fshatin Terzijaj – 50,000 €
- Hapja e trasesë Prrockë–Vërmicë me dalje në lagjen Kurexhaj – 30,000 €
- Rregullimi i hapësirës publike për parkim përballë Stacionit të Policisë, në shërbim të shkollës, ambulantës dhe komunitetit – 30,000 €
Gjithsej: 300,000.00 euro
Haziri ka theksuar se procesi i rishikimit të buxhetit do të vazhdojë edhe në fazën e dytë, ku do të planifikohet asfaltimi i rrugëve sipas prioriteteve të përcaktuara.
Po ashtu, brenda këtij buxheti janë mbështetur edhe projekte për fshatra të tjera, përfshirë:
- Zgjerimin e urës në fshatin Lladovë – 40,000 €
- Zgjerimin e urës në fshatin Llashticë – 40,000 €
Në fund, Haziri ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e tij institucional, gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit.
