Haziri: Rënia drastike e LDK-së kërkon ndryshim të menjëhershëm nga baza

 

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega në Gjilan, njëherësh asambleist në Kuvendin Komunal, Muhadin Haziri, ka reaguar sërish lidhur me rënien e subjektit të tij politik në zgjedhjet e fundit nacionale.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haziri ka vlerësuar se LDK po përballet me një rënie të thellë të besimit qytetar, duke fajësuar strukturat e vjetra brenda partisë për mungesën e reformave reale.

“LDK po mbahet peng nga një strukturë e vjetër që refuzon ndryshimin real. Në vend të reformës së thellë, po shohim vetëm manovra për të ruajtur pushtetin dhe ndryshime fasade”, ka shkruar Haziri.

Sipas tij, dyert e partisë po mbesin të mbyllura për gjeneratën e re, ndërsa LDK po humb energjinë, besimin dhe vizionin politik.

“Koha për kompromis ka kaluar. Ndryshimi duhet të nisë nga baza, në çdo komunë, me liderë të rinj që përfaqësojnë vlerat e LDK-së, e jo interesat e një rrethi të ngushtë”, ka theksuar ai.

Në fund të reagimit të tij, Haziri ka vlerësuar se vetëm përmes reformave të thella dhe hapjes ndaj gjeneratave të reja, LDK mund të rifitojë besimin e qytetarëve dhe të ecë përpara me unitet dhe vizion.

 

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët