Anëtari i Kryesisë së LDK-së në Gjilan dhe njëherësh këshilltar komunal, Muhadin Haziri, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke kërkuar urgjentisht shpalljen e zgjedhjeve të brendshme në Degën e LDK-së në Gjilan.
Në një postim publik, Haziri ka theksuar se zgjedhjet duhet të organizohen në të gjitha nëndegët, ku përmes anëtarësisë autoktone të LDK-së të zgjidhen kryetari, kryesia dhe delegatët, në një proces të rregullt, demokratik dhe transparent.
“Procesi duhet të zhvillohet me ushtrues detyre të kryetarit, për të ruajtur unitetin dhe stabilitetin e anëtarësisë deri në përmbylljen e plotë të procesit demokratik, pa asnjë favor dhe pa asnjë shkelje të rregullores statutare”, ka shkruar Haziri.
Ai ka qenë kritik edhe ndaj zhvillimeve në nivel qendror të partisë, duke deklaruar se LDK nuk është taksi pasagjerësh dhe as pronë private e askujt.
Sipas tij, partia po trajtohet si “plaçkë tregu” nga klane të caktuara, të cilat, siç shprehet Haziri, janë të shkëputura nga filozofia rugoviane dhe nga gjeneza politike e LDK-së.
“Si është e mundur që kaq shumë zëra mendojnë ta marrin timonin e LDK-së sikur të ishte taksi pasagjerësh? LDK po trajtohet si plaçkë tregu nga klane të klonuara nga PDK-ja”, ka shkruar ai.
Haziri ka kërkuar çlirimin e partisë nga, siç i quan ai, “tregtarët politikë që jetojnë nga favoret”, duke theksuar se mentaliteti i fjalëve boshe dhe mosveprimit po e shndërron LDK-në në hije të vetvetes.
Ai ka shkuar edhe më tej me kritikat, duke pohuar se brenda afatit të fundit 15-ditor duhet të ketë largime nga lidershipi aktual, pasi sipas tij, rezultati i vetëm i kësaj garde ka qenë përçarja e brendshme dhe humbja e elektoratit tradicional.
“Armiku i LDK-së nuk është jashtë, armiku është brenda kalasë. Vetëm një LDK me kryesi të pastër, të pavarur nga klanet dhe me vendime të prera mund ta nxjerrë partinë nga kjo rrugë pa kthim”, ka përfunduar Haziri.
Reagimi i tij pritet të ngjallë debat të fortë brenda strukturave të LDK-së, si në nivel lokal ashtu edhe qendror

