Një bast i mëhershëm mes dy basketbollistëve të njohur të Turqisë ka përfunduar me një dhuratë luksoze, një orë “Rolex” për Erxhan Osmanin. Arsyeja? Paraqitja e tij brilante në Kampionatin Europian, veçanërisht në ndeshjen ndaj Greqisë në Letoni, ku performanca e tij u cilësua si një mrekulli e vërtetë.
I lindur në Tropojë, por që prej vitesh pjesë e basketbollit turk, Erxhan Osmani u bë emër i njohur në të gjithë kontinentin pas asaj ndeshjeje, duke treguar nivel të lartë loje dhe karakter të fortë.
Gjithçka nisi me një premtim nga ylli i kombëtares turke, Alperen Shengyn, përpara gjysmëfinales kundër Greqisë:
“Nëse ti e ndalon Janisin nën 20 pikë, unë do të të blej një Rolex,” i kishte thënë ai Osmanit.
Dhe Osmani ia doli me sukses. Ai mbajti nën kontroll superyllin e NBA-së, Giannis Antetokounmpo, duke mos e lejuar të shënojë më shumë se 12 pikë, ndërsa vetë realizoi një ndeshje të jashtëzakonshme me 28 pikë, 6 topa në tabela, 2 asistime, 2 vjedhje dhe 2 bllokime.
Shengyn e mbajti premtimin e dhënë, duke i dhuruar bashkëlojtarit të tij shqiptar një Rolex luksoz, dhuratë që e publikoi vetë në rrjetet sociale, duke shkruar:
“Vëllai im bëri më të mirën dhe luftoi fort. Jam vërtet i lumtur.”
Ndërkohë, Erxhan Osmani ka vazhduar me ritme të larta edhe në kampionatin turk, ku me ekipin Anadolu Efes shënoi 21 pikë, kapi 9 topa në tabela dhe dha 2 asistime në fitoren ndaj Bursasporit me rezultatin 93–73.