Historia dhe shpirti i lagjes Gavrani- Dardania e sotme

Një nga lagjet më të njohura dhe më urbanistike të Gjilanit është Gavrani, e cila pas luftës mori emrin Dardania. Por për banorët e saj të hershëm, ajo gjithmonë do të mbetet Gavrani, një hapësirë ku fëmijëria, loja dhe kujtimet e hershme jetojnë ende në rrugicat e saj.

Origjina e emrit

Emri “Gavran” lidhet me korbët, shpendët e mëdhenj të zeza që dikur fluturonin mbi fushat e hapura periferike të qytetit. Fjala “gavran” është me prejardhje sllave dhe në shqip do të thotë korb. Ky zog i madh, i zi dhe me zë të trashë, ka lënë gjurmë në kujtesën e banorëve, duke i dhënë lagjes një identitet të veçantë. Korbat, të zgjuar dhe të përshtatshëm edhe pranë qyteteve, simbolizojnë lidhjen e natyrës me jetën e njerëzve në këtë hapësirë.

Fillimet e ndërtimit

Për tri rrugët e para, shpërndarja e truallit ishte bërë përmes ankandit publik: të interesuarit duhej të depononin një shumë të caktuar parash dhe pastaj të konkurronin. Kush ofronte më shumë, fitonte të drejtën e truallit. Ky mekanizëm solli një transparencë të veçantë për kohën dhe u kujdes që ndërtimet të ishin të rregullta dhe sipas planit urbanistik.

Vlen të përmendet se shteti atëkohë kishte marrë tokë nga shumë qytetarë për nevoja të ndërtimit urban, por shumica e tyre u kompensuan në mënyrë adekuate, duke siguruar që shpërndarja e truallit të ishte e drejtë dhe e kontrolluar, dhe procesi i ndërtimit të vazhdonte pa pengesa.

Fillimisht ishte paraparë një rresht shtëpish njëkatëshe dhe një tjetër dykatëshe, por më vonë ky plan u devijua.

Shtëpia e parë e ndërtuar ishte ajo e mjekut pulmolog Dr. Asllan Elezi, ndërsa më pas u ngritën tre rrugët e para dhe në vitin 1975 nisi punën shkolla “Selami Hallaci”, qendra e dijeve për brezat e rinj të lagjes.

Zgjerimi dhe zhvillimi

Gavran 1 u përfundua me sukses dhe në vitet ’80 filloi ndërtimi i Gavran 2, duke zgjeruar lagjen dhe sjellë qindra shtëpi të reja. Ky zhvillim krijoi një komunitet të ngushtë dhe të respektuar, me banorë të edukuar dhe profesionistë të dalluar.

Sot, llogaritet se lagjja ka rreth 2000 deri në 2500 shtëpi dhe njihet si një nga zonat më të qeta dhe më të kulturuara të Gjilanit. Brenda lagjes funksionon çerdhja për fëmijë, si dhe objekti i nisur për kulturë, i cili në fillim ishte paraparë të shërbente si ngrohtore për lagjen, me qëllim që të sigurohej një sistem i përbashkët dhe më racional i ngrohjes. Ky projekt, megjithëse nuk u realizua në tërësi sipas konceptit fillestar, dëshmon për vizionin urbanistik të kohës.

Jeta e sotme dhe infrastruktura

Sot, Dardania ofron një infrastrukturë të kompletuar: shkollë 9-vjeçare, çerdhe, ambulancë shëndetësore, mini-park me dy fusha sportive (futboll dhe basketboll), kënde lojërash për fëmijë dhe një xhami moderne. Gjithashtu, ka hapësira të lira për projekte të ardhshme, duke ruajtur hapësirat e gjelbra dhe frymën komunitare të lagjes.

Kujtesë dhe identitet

Lagjja Gavrani/Dardania nuk është vetëm një hapësirë banimi,  ajo është një simbol i historisë urbane dhe shoqërore të Gjilanit. Nga fusha e hapur ku fluturonin korbët, te rrugicat ku fëmijët luanin, ajo ruan kujtimet e së kaluarës dhe krenarinë për zhvillimin dhe organizimin e saj. Për banorët, Gavrani është më shumë se një lagje, është një pjesë e shpirtit të qytetit, një kujtim i gjallë i atyre që e ndërtuan dhe e bënë të lulëzojë.

Shpërndaj me të tjerët