Hyseni diskuton fuqizimin e rrjetit me KOSTT

Kryetari Hyseni takohet me udhëheqësit e KOSTT-it për zhvillimet në sektorin e energjisë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), ku u prit nga kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Gëzim Tosuni, dhe U.D. kryeshefi ekzekutiv, Shaban Neziri.

Gjatë këtij takimi u diskutuan zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë dhe planifikimet për fuqizimin e rrjetit të transmetimit në rajonin e Gjilanit. Po ashtu, u bisedua për forcimin e bashkëpunimit institucional mes Komunës së Gjilanit dhe KOSTT-it.

Kryetari Hyseni falënderoi udhëheqësit e KOSTT-it për bashkëpunimin e mirë dhe shprehu shpresën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve institucionale.

Ai theksoi rëndësinë e diskutimit për nevojat dhe kapacitetet e ardhshme të rrjetit, në mbështetje të zhvillimit ekonomik të zonës.

Gjithashtu, në takim u trajtua integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe adresimi i kërkesave të reja për furnizim me energji elektrike, duke përfshirë edhe Projektin e Parkut të Biznesit në Gjilan, i planifikuar si zonë ekonomike me rëndësi rajonale.

Takimi theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të rajonit.

Shpërndaj me të tjerët