Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar një listë rekomandimesh për përdorimin e sigurt të pishinave publike gjatë sezonit të verës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së infeksioneve.
Në njoftim thuhet se qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar ndaj higjienës personale, të bëjnë dush para hyrjes në pishinë dhe të shmangin larjen nëse kanë plagë të hapura apo ndonjë infeksion aktiv në lëkurë. Po ashtu, këshillohet shmangia e gëlltitjes së ujit gjatë notit.
“Menaxhmentet e pishinave janë të obliguara të kontrollojnë rregullisht cilësinë e ujit, përmes klorifikimit dhe analizave laboratorike”, thuhet në një pjesë të komunikatës së IKShPK-së.
Sipas institutit, respektimi i këtyre udhëzimeve është thelbësor për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë pushuesit dhe për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të transmetueshme përmes ujit.
