Kandidati për kryetar të Komunës së Gjilanit nga Lista Guxo, Ilir Poroshtica, ka prezantuar platformën e tij zgjedhore, e cila përfshin 13 prioritete kryesore për qeverisjen lokale 2025–2029.
Në fokus të programit të tij janë shërbimet shëndetësore dhe sociale, përmirësimi i cilësisë së arsimit, menaxhimi transparent i buxhetit dhe zhvillimi i infrastrukturës.
Sipas Poroshticës, qytetarët e Gjilanit do të kenë në qendër të shërbimeve:
- Shëndetësi efikase dhe cilësore, me qendra të rinovuara dhe pajisje moderne, si dhe ofrim të shërbimeve në shtëpi për pacientët në nevojë.
- Shërbime sociale të përmirësuara, për mbrojtjen e fëmijëve dhe grupeve më të cenueshme.
- Arsim me standarde më të larta, përmes trajnimeve të stafit, pajisjeve teknologjike dhe konkurseve transparente.
- Administratë digjitale dhe efikase, ku çdo qytetar do të mund të aplikojë për shërbime si fizikisht ashtu edhe online.
- Buxhet komunal të menaxhuar profesionalisht, me softuerë modernë dhe transparencë të plotë.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe zhvillimit urban dhe hapësinor, ruajtjes së tokave bujqësore, si dhe përmirësimit të shërbimeve publike, ujësjellësit, kanalizimit dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.
Në planin e tij janë përfshirë gjithashtu:
- Mbështetje për bujqit dhe fermerët, subvencione dhe trajnime profesionale.
- Modernizim i shërbimeve të kadastrit dhe gjeodezisë për reduktimin e burokracive.
- Investime në shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit, me theks në parandalimin e fatkeqësive natyrore.
- Nxitje të zhvillimit ekonomik, krijim të një zyre të veçantë për mërgimtarët dhe mbështetje për zonat ekonomike.
- Përkrahje për kulturën, rininë dhe sportin, me subvencione më të mëdha dhe digjitalizim të Teatrit të qytetit.
Në fund, Poroshtica paralajmëroi fuqizim të inspektorateve komunale, me fokus në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe respektimin e rregullave të shëndetit publik dhe sigurisë.
“Gjilani meriton një qeverisje moderne, transparente dhe të përgjegjshme, ku qytetari është gjithmonë në qendër të vendimmarrjes”, u shpreh Poroshtica në prezantimin e tij.