Inxhinieri, veprimtari dhe shtetformuesi që jetën ia kushtoi Kosovës

Fëmijëria dhe rrënjët familjare

Fatmir Rexhepi, inxhinier i diplomuar, sportist, mësimdhënës, deputet, ministër, i arrestuar, veprimtar i çështjes kombëtare dhe aktivist politik, lindi më 6 korrik 1956 në fshatin Pogragjë të Gjilanit, në një familje arsimdashëse dhe me traditë të lartë pune.

Fatmiri vinte nga një familje fisnike e intelektuale, ku diskutoheshin tema të rëndësishme shoqërore dhe kombëtare.

Hapat e parë drejt profesionit të inxhinierit

Në fund të viteve ’60 ishte “modë” që shumë të rinj të aplikonin në akademinë ushtarake të ish-Jugosllavisë.

Familja kishte planifikuar ta dërgonte në Akademinë Ushtarake, por një fjali e nënës së tij ia ndryshoi kahjen e jetës: “Më mirë e çoj djalin për kovaç në Preshevë sesa në akademi ushtarake.”

Kjo e orientoi drejt shkollës së mesme teknike në Gjilan, gjenerata e parë me mësim në gjuhën shqipe.

Ai mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm drejtimin e makinerisë.

Sportist, student i dalluar dhe profesionist i përkushtuar

Studimet i vijoi në Universitetin e Prishtinës në inxhinieri mekanike, ku diplomoi më 1979.

Gjatë kësaj periudhe u dallua si student, sportist dhe aktivist.

Nga viti 1980 deri më 1984 ai kontribuoi në shkollën teknike në Gjilan, duke dhënë mësim në lëndët profesionale të drejtimeve teknike  të këtij institucioni.

Shquhej si kuadër deficitar, i përgjegjshëm dhe profesional.

Karriera industriale dhe suksesi në INTEGJ e GIVAL

Pas diplomimit nisi punën si inxhinier në kombinatin INTEGJ në Gjilan.

Ai u shqua për profesionalizëm, inovacion dhe kreativitete teknike.

Në vitin 1983 u zgjodh ndër 23 inxhinierët më të dalluar në ish-Jugosllavi dhe mori diplomën më të lartë profesionale.

Më 1984 u emërua drejtor teknik i INTEGJ-it, ndërsa 1986–1989 ishte drejtor i fabrikës së perdeve GIVAL, duke arritur rezultate të larta në prodhimtari.

Po ashtu ishte anëtar i Bordit Drejtues të kombinati dhe mbikëqyrës i investimeve të reja industriale.

Përballja me represionin e viteve ’89–’90

Në mars 1989 ai u arrestua nga UDB-ja për angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të Kosovës.

U shkarkua dhunshëm nga puna, u arrestua në vendin e punës dhe u torturua psikikisht, me qëllim që të tregonte organizatorët e protestave të punëtorëve të tekstilit.

Gjatë qëndrimit në dhomat e UDB-së u morr në pyetje edhe për veprimtarinë e vëllezërve të tij. Qëndroi i palëkundur.

Dr. Nagipi, vëllai i madh, ishte nënshkrues i peticionit të 215 intelektualëve kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërsa Mejdiu, vëllai i vogël, si inxhinier në PTK që trajtohej si institucion i rëndësisë së veçantë.

Kombinati i tekstilit në Gjilan u bë një prej shtyllave të rezistencës, menjëherë pas Trepçës.

Këto ngjarje shënuan fillimin e angazhimit të tij të hapur në lëvizjen për liri dhe pavarësi.

Veprimtaria private dhe suksesi në biznes

Në vitin 1990 filloi veprimtarinë private në inxhinieri termo-energjetike.

Në vitin 1994 u bë bashkëthemelues i “Eng-Office”, i cili u shndërrua në prodhuesin më të madh të radiatorëve dhe sistemeve termo-teknike në Kosovë dhe rajon.

Angazhimi kombëtar dhe politik

Fatmiri ishte një nga themeluesit e LDK-së në Gjilan (1990).

Në vitet 1990–1998 ishte nënkryetar i degës dhe kontribuoi në organizimin e rezistencës paqësore.

Nga 1998–2006 ishte anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe kryetar i Komisionit për Ekonomi.

Gjatë viteve të luftës ishte kryetar i Komisionit të Presidencës për Buxhet dhe Financa.

Rruga politike: Nga LDK-ja te posti i ministrit

Pas luftës u zgjodh deputet në disa legjislatura (2000–2010, 2014–2016, 2019–2021).

Ka shërbyer në komisionet më të rëndësishme parlamentare në fushat e ekonomisë, financave, energjetikës dhe të drejtave të njeriut.

Në vitin 2006–2007 u emërua Ministër i Punëve të Brendshme, duke luajtur rol kyç në themelimin e ministrisë.

Në shkurt 2007 dha dorëheqje për arsye morale – një veprim i rrallë në politikën kosovare, i vlerësuar lart nga opinioni publik.

Deputet, nismëtar politik dhe firmëtar i Pavarësisë

Rexhepi është një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008), duke hyrë në histori si njeri prej shtetformuesve të vendit.

Në vitin 2009 ishte kandidat për kryetar të Gjilanit, me një fushatë të modeluar profesionalisht.

Humbja e tij në garë konsiderohet ende e pashpjegueshme nga shumëkush, të cilët besojnë se “Gjilani i ka borxh”.

Integriteti, trashëgimia dhe vlerësimet

Karriera e Fatmir Rexhepit është shembull i rrallë i ndërthurjes së dijes teknike me vizionin politik.

Ai njihet për integritet, profesionalizëm, moral dhe përkushtim ndaj shtetit të Kosovës. Kontributi i tij mbetet pjesë e rëndësishme e historisë politike e industriale të vendit, një trashëgimi që vlerësohet nga brezat e sotëm dhe ata që vijnë.

Ai është njeri shumë besnik, korrekt, i ndershëm dhe i guximshëm në mendimin e vet politik, gjithmonë i qartë në qëndrimet e tij, asnjëherë i nënshtruar ndaj askujt dhe gjithmonë i qëndrueshëm në parimet që beson.

Top of Form

Bottom of Form

 

 

 

Shpërndaj me të tjerët