Ish-gardiani i Dritës në stolin e Reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut
Ish-portieri i mirënjohur i klubit të Dritës dhe shumë skuadrave të tjera prestigjioze, Xhemajl Zeqiri, është emëruar ndihmës seleksionues i Reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut për moshën U – 20.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Zeqiri, i cili përmes një njoftimi ka konfirmuar angazhimin e tij të ri në stafin teknik të federatës maqedonase.
Gjatë karrierës së tij të pasur si gardian, Zeqiri ka lënë gjurmë në klube të njohura si Kumanova, Prishtina, Ramiz Sadiku, Liria, Drita e Shkëndija e Haraçinës, duke u vlerësuar gjithmonë për profesionalizmin dhe punën e tij të palodhshme.
Tashmë në rolin e ekspertit të futbollit, Zeqiri pritet të japë kontributin e tij në zbulimin dhe formimin e talenteve të reja që do të jenë ardhmëria e futbollit.
Sfida e tij e parë me përfaqësuesen U – 20 do të nisë më 10 mars, në prag të ndeshjes kundër Lihtenshtajnit, ku legjenda e futbollit do të debutojë në këtë rrugëtim të ri.
Ky emërim shihet si një vlerësim i madh për karrierën e tij të suksesshme, ndërsa sportdashësit i dëshirojnë suksese në arritjen e objektivave të reja ndërkombëtare.

