Jakup Berisha, dëshmitar i dy luftërave dhe një familje atdhetare në shënjestër

Jakup Berisha, sot 88-vjeçar dhe mësues në pension, është një nga ata që historia i ka ndjekur hap pas hapi. Ai është dëshmitar i dy luftërave të mëdha që prekën Kosovën: Luftës së Dytë Botërore dhe luftës së fundit të vitit 1999. Kujtimet e tij janë të gjalla, të prekshme dhe të mbushura me ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tij.

Fëmijëria në kohë lufte (1941–1945)

Në vitin 1941, Jakupi ishte vetëm 4-5 vjeç, kur në Gjilan hynë forcat gjermane dhe italiane. Një moment që e shënoi përgjithmonë ishte një episod pranë lumit Stanishorka, ku i vogël u afrua nga kureshtja për të parë tubimin e qytetarëve dhe për pak sa nuk u përplas nga një makinë ushtarake. Frika e madhe e bëri të qante me dënesë, duke e ngulitur tmerrin e luftës në kujtesë që në moshë të hershme.

Shpërngulja drejt sigurisë (1944)

Në shtator të vitit 1944, për shkak të përkeqësimit të situatës në Gjilan, familja e Jakupit u detyrua të largohet. Fillimisht u vendosën në Cërnicë, te dajtë e babës, dhe më pas në Prizren, ku babai i tij, Avdullahu, punonte në organet komunale së bashku me axhën Esatin, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Më 20 dhjetor 1944, u kthyen nga Prizreni në Cërnicë, pasi situata në Gjilan nuk ishte ende e sigurt. Babai i tij qëndroi në Shqipëri për më shumë se tre vjet, ndërsa pjesa tjetër e familjes u kthye në Gjilan.

Lufta e Gjilanit dhe tragjedia e familjes së Jakupit (1944–1955)

Më 23 dhjetor 1944, Lufta e Gjilanit shënoi një nga momentet më të dhimbshme në historinë e qytetit. Jakupi, atëherë një fëmijë i vogël, përjetoi frikën, dhunën dhe humbjet e asaj kohe.

Një ditë para nisjes së luftimeve, axha Raif paralajmëroi: “Nesër do të ketë luftë.” Familja, që jetonte në lagjen Begler Mehallë, u detyrua të largohej dhe u strehuan përkohësisht te familja Bunjaku, për shkak të bombardimeve. Gjatë rrugës u përballën me ushtarë serbë, ku njëri u kërcënua me armë, por fatmirësisht u ndal nga një tjetër. Jakupi pa për herë të parë një civil të vrarë në rrugë, kujtim i pashlyeshëm.

Të dielën, pas kthimit në shtëpi, axha Raif doli për të hapur derën, por u vonua. Hoxhë Ymeri doli për të parë situatën dhe e tërhoqi brenda Raifin për ta parandaluar të dilte. Ndërsa vetë hoxhë Ymeri u largua bashkë me ata që kishin trokitur në derë dhe nuk u pa më kurrë.

Pak ditë më vonë, nëna e Jakupit pa nga dritarja dy civilë të shtrirë në tokë, viktima të dhunës që kishte kapluar qytetin. Këto imazhe mbetën të ngulitura në kujtesën e tij.

Në hyrje të rrugës “7 Korriku”, Jakupi me shokët e tij : Jakupi i Dilve, Abdyl Malisheva dhe Isak Pozhorani , u përballën me një person të quajtur Sllavko, i njohur si “Grobar” (vërrmihës). Ai, bashkë me dy të tjerë, iu drejtua me armë dhe i ofendoi rëndë, duke i kërcënuar dhe poshtëruar.

Në një natë dimri, ndërsa dëgjoheshin muzikë dhe krisma armësh, Jakupi pyeti nënën: “Kush ka dasëm?” E ëma iu përgjigj me dhimbje: “S’ka dasëm, bir, po vrasin njerëz.”

Një familje atdhetare në shënjestër

Familja e Jakupit njihej për qëndrimet e saj atdhetare dhe për këtë arsye ishte gjithmonë në shënjestër të ndjekjeve dhe presioneve. Ata u detyruan të zhvendosen tri herë, duke u strehuar në lagje të ndryshme deri në vitin 1955, kur u vendosën përfundimisht në një shtëpi mbrapa postës kryesore të Gjilanit, ku jetojnë edhe sot.

Trashëgimia fetare

Gjyshi i Jakupit, Hoxhë Ymer, shërbeu si imam në xhaminë e Dermahallës në Gjilan nga viti 1924 deri më 1944, ndërsa i edhe i ati i tij, Mulla Bajrami, kishte shërbyer në të njetën xhami nga viti 1904 deri më 1924. Kjo trashëgimi fetare dhe shpirtërore dëshmon për rolin e familjes në jetën publike të Gjilanit, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë atdhetar.

 

Shpërndaj me të tjerët