Në një nismë simbolike dhe plot dashuri, disa të rinj të Gjilanit, të udhëhequr nga Dardan Veseli, njeri me prirje organizative dhe humane, kanë shpërndarë mbi 1,400 shishe ujë dhe 500 copa torte për mërgimtarët në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” dhe në sheshin e qytetit.
Kjo iniciativë, që u zhvillua nën moton “Jep ujë, jep dashuri”, u realizua me përkrahjen e disa bizneseve lokale dhe me përkushtimin vullnetar të të rinjve gjilanas.
“Qëllimi ynë ishte i thjeshtë, t’u japim një copë mikpritjeje dhe respekti bashkatdhetarëve tanë që vijnë nga larg, dhe që gjithmonë i japin jetë e gjallëri qytetit tonë”, ka thënë Dardan Veseli përmes një postimi në rrjete sociale.
Përkrahësit e kësaj nisme ishin: Rondom Design, Malik Akull, Ujë Dea, Pastiqeria “Kimi”, si dhe biznese të tjera që dhanë mbështetje pa hezitim.
Atmosfera në kufi u përshkua me emocion dhe mirënjohje nga mërgimtarët që u ndalën për të marrë një shishe ujë e një copë torte, por mbi të gjitha, një përqafim të sinqertë nga vendlindja.