Ka filluar edicioni i 16-të i “Vjeshtës letrare të Gjilanit”

 

 

Në Gjilan ka filluar edicioni i gjashtëmbëdhjetë i manifestimit tradicional kulturor “Vjeshta letrare e Gjilanit”, që tashmë është bërë një ndër ngjarjet më të qëndrueshme letrare në rajonin e Anamoravës. Manifestimi organizohet nga Asociacioni Alternativ i Shkrimtarëve të Kosovës, në bashkëpunim me Ars Clubin “Beqir Musliu” dhe Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”.

Ky edicion, që do të zgjasë për disa javë, do të përfshijë një mori aktivitetesh letrare, përurime librash, lexime poetike, takime me autorë dhe diskutime mbi krijimtarinë bashkëkohore shqiptare.

Në hapje të manifestimit u prezantuan veprat e reja poetike e prozë të autorëve nga Anamorava, ndërsa drejtori i Bibliotekës, Qazim Azizi, e cilësoi “Vjeshtën letrare” si “ngjarjen më jetëgjatë dhe më të rëndësishme kulturore të qytetit”. Ai shtoi se vizioni i poetit Sabit Rrustemi, si themelues dhe udhëheqës i Ars Clubit “Beqir Musliu”, ka bërë që kjo veprimtari të shndërrohet në traditë të qëndrueshme letrare.

Në këtë hapje u përuruan disa botime të reja nga shtëpitë botuese “Beqir Musliu” dhe “Rozafa”, ndër to librat: “Rritësh për një puthje” – Avdush Canaj, “77 poezi për qytetin tim” – Ramadan Mehmeti, “Shprush nëpër dej” – Sabit Rrustemi, si dhe përzgjedhje poetike e autorëve Din Mehmeti, Anton Nikë Berisha, Hasan Muzli Selimi e Sherafedin Kadriu.

Poetja e re Blinerë Hajdari recitoi poezi të Din Mehmetit, ndërsa krijuesja Linditë Ramushi Dushku solli vargje nga përmbledhja poetike “Kur vdesin ngjyrat” e Sherafedin Kadriut.
Kritiku Prend Buzhala dhe poeti Nexhat Rexha bënë një vlerësim të përgjithshëm mbi veprat e prezantuara dhe ndikimin e tyre në letërsinë bashkëkohore shqipe.

Veprimtaria do të vazhdojë me aktivitete të tjera më 25 tetor 2025, në Bibliotekën “Fan S. Noli”, ku pritet të marrin pjesë autorë e dashamirë të librit nga mbarë Kosova.



 

 

Shpërndaj me të tjerët