Me pikëllim të thellë është pranuar lajmi për vdekjen e Nazif Gashit, njërit prej figurave më të shquara të sportit kosovar dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit të Prishtinës.
Nazif Gashi, i lindur më 1 tetor 1951 në Mramor të Prishtinës, karrierën e tij e nisi në vitin 1970 te KB “Prishtina”, ku shumë shpejt u dallua për disiplinë, përkushtim dhe talent të jashtëzakonshëm.
Për një dekadë rresht (1970–1980) ai ishte pjesë kyçe e klubit dhe nuk mungoi në asnjë ndeshje, duke u bërë simbol i boksit prishtinas.
Gashi ishte ndër më meritorët për pesë titujt e ish-Jugosllavisë që KB Prishtina fitoi në atë periudhë. Ai u vlerësua gjithmonë nga trajnerët, e legjendari Lah Nimani e konsideronte “xhoker të çdo ndeshjeje”.
Arritjet e tij kryesore:
Pesë herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurencën kolektive (1970–1980)
Reprezentues i ish-Jugosllavisë për katër vite (1974–1978) Fitues i turneut të Beogradit (1974)
Dy herë medalist i artë në “Gongun e Artë” në Shkup (1975, 1976)
Fitues i shumë përballjeve të mëdha, përfshirë kundër kampionëve botërorë Sllobodan Kacar, Marian Benesh dhe Svetomir Bilic
\Selektor i Kosovës (2002–2005)
Pas karrierës si boksier, Gashi punoi si trajner në klubin e Body Building-ut dhe Aerobic-ut në Prishtinë, duke vazhduar të kontribuojë në sport.
Kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar, një figurë e jashtëzakonshme që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e boksit kosovar.
