Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Gjilan, Kushtrim Kadriu, ka reaguar menjëherë pas publikimit nga kryetari Alban Hyseni se ka nderuar me titullin e lartë “Nderi i Qytetit” Pajazit Zymerin.
Në një deklaratë në llogarinë e tij në Facebook, Kadriu ka theksuar se vendimi për ndarjen e këtij çmimi është marrë nga Kuvendi Komunal dhe është votuar unanimisht nga të gjitha subjektet politike, duke shtuar se çdo tentim për ta politizuar është i papranueshëm.
Sipas tij, tendenca e Alban Hysenit për ta përdorur këtë vendim politikisht, pa njoftuar Kuvendin si organin përgjegjës për organizimin e ceremonisë, është e papranueshme. “Unë do t’i analizoj të gjitha veprimet, ndërsa të zgjedhurve të popullit që votuan këtë vendim do t’u komunikohet me korrektësi për veprimet e papërgjegjshme dhe ne do të veprojmë në përputhje me Statutin e Komunës dhe rregulloret në fuqi,” ka shkruar Kadriu.
Ai gjithashtu ka theksuar se dekoratat e komunës së Gjilanit nuk kanë vend në prani të fotografisë së diktatorit Enver Hoxha, “i cili i lau në gjak shqiptarët e Shqipërisë”.