Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, së bashku me kryetarin e degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka zhvilluar një takim me banorët e Malishevës së heroit të kombit, Abdullah Tahiri.
Në këtë takim, Ismajli tha se ndjehet i nderuar që ka qenë në mesin e banorëve të një pjese të qytetit që ndër vite ka dhënë intelektualë, funksionarë dhe personalitete të shquara për zhvillimin e shoqërisë.
“Banorët e Malishevës janë bashkuar në vizionin tonë për ndryshimin përfundimtar të qeverisjes, që do t’i japë fund dështimit dhe do të hapë rrugën e zhvillimit të vërtetë për Gjilanin.
Bisedat dhe përkrahja e tyre na japin motivim të madh për të sjellë ndryshimin që Gjilani i ri e meriton,” ka deklaruar Ismajli.
Ai shtoi se me zemër dhe angazhim po përgatiten për 9 nëntorin, ditën e balotazhit, që sipas tij do të shënojë fillimin e ndërtimit të një të ardhme më të mirë për qytetin dhe qytetarët e Gjilanit.
“Faleminderit nga zemra për besimin dhe mbështetjen tuaj. Së bashku do të ndërtojmë Gjilanin e së ardhmes,” u shpreh në fund kandidati i LDK-së për kryetar, Arbër Ismajli.
